Daniele De Rossi po ndërton hap pas hapi projektin e tij te Genoa, me objektivin kryesor sigurimin sa më të shpejtë të mbijetesës në Serie A.
Pas barazimit 1-1 kundër Milanit dhe fitores bindëse 3-0 ndaj Cagliarit, drejtuesit e klubit kuqeblu kanë intensifikuar lëvizjet në merkato për t’i dhënë trajnerit italian përforcimet e nevojshme.
Sipas mediave italiane, në veçanti “Sky Sport”, Genoa ka vendosur në shënjestër Kristjan Asllanin. Mesfushori shqiptar shihet si profili ideal për të forcuar repartin e mesit të fushës, duke i dhënë skuadrës më shumë ekuilibër, qetësi në ndërtimin e lojës dhe siguri përpara mbrojtjes.
Asllani vlerësohet për vizionin në pasime, aftësinë për të luajtur nën presion dhe inteligjencën taktike, elementë që De Rossi i konsideron thelbësorë për filozofinë e tij të lojës.
Aktualisht në huazim nga Interi te Torino, Asllani pritet të largohet nga “Granata”, pasi nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Marco Baroni. Në këtë situatë, Genoa po monitoron nga afër negociatat mes Interit dhe Torinos për të ndërhyrë në momentin e duhur.
Megjithëse në të kaluarën ka pasur interes nga klube si Parma, Fiorentina, Sassuolo, Girona dhe Paris FC, dëshira e Asllanit mbetet qëndrimi në Itali dhe aktivizimi në një projekt ambicioz. Genoa duket gati t’ia ofrojë këtë mundësi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)