Trajneri italian që drejtoi Kukësin nxin futbollin shqiptar: Kampionati më i korruptuar në botë!

Trajneri xhenovez Diego Longo, i cili në kampionatin shqiptar ka drejtuar Kukësin, Teutën dhe Flamurtarin, e ka cilësuar futbollin në vendin tonë si më të korruptuarin në botë.

Burimi: Corriere dello Sport

15.01.2026. 18:43

Trajneri italian që drejtoi Kukësin nxin futbollin shqiptar: Kampionati më i korruptuar në botë!

Trajneri xhenovez Diego Longo, i cili në kampionatin shqiptar ka drejtuar Kukësin, Teutën dhe Flamurtarin, e ka cilësuar futbollin në vendin tonë si më të korruptuarin në botë. 

Në një intervistë të gjatë për Gazetta dello Sport, ku ka rrëfyer karrierën e tij si trajner dhe rrugëtimin përmes Rumanisë, Greqisë, Arabisë Saudite, Ukrainës dhe së fundmi Gjeorgjisë, Longo është ndalur tek skandalet e futbollit shqiptar.

"Liga më e korruptuar në botë. Marrëdhëniet midis klubeve dhe institucioneve të futbollit janë shumë të ndërlikuara. Kam parë shumë gjëra të papranueshme, por ka një episod që i tejkalon të gjitha të tjerat", tha Longo, kur ju kërkua një opinion për eksperiencën e tij në Shqipëri.

Më tej rrëfeu një episod që sipas tij hedh dritë mbi trukimet në futboll, nga një ndeshje midis Kukësit që ai drejtonte dhe Partizanit, ku duelohej për një nga vendet e klasifikimit që të çonte në kompeticionet europiane.

"Vitin tim të parë me Kukësin, luajtëm për vendin e fundit në Europë kundër Partizanit. Ata janë një nga ekipet më të mëdha, ekuivalenti shqiptar i Juventusit, dhe kanë një fuqi të jashtëzakonshme. Një ditë para ndeshjes, na morën fushën e stërvitjes, duke thënë se kishin organizuar një ndeshje për ekipin e tyre nën 16 vjeç. Por më e keqja ndodhi të nesërmen. Gjatë ndeshjes, VAR u shkëput për 15 minuta, "probleme teknike" sipas gjyqtarit. Gjatë atyre momenteve, na u mohuan dy penallti të pastra dhe një penallti e rreme iu dha Partizanit, i cili fitoi dhe u kualifikua për në Europë. Pas fishkëllimës së fundit, vrapova në dhomën e zhveshjes i tërbuar dhe i thashë presidentit tim se duhej të ngrinte zërin, se situata ishte e papranueshme. Ai, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar bashkie i një qyteti shqiptar, u përgjigj: “Nuk keni pse të zemëroheni, ne jemi dakord me këtë. Ai u arrestua një vit më vonë."

Longo e kishte fjalën për ish-Presidentin e Kukësit, Safet Gjici, për të cilin ka shpjeguar edhe arsyen pse përfundoi pas hekurave.

“Skandal seksual. I vendosën një kamerë në zyrë dhe videoja madje përfundoi në YouTube. Mendoj se mund të gjendet ende.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)