Ish-presidenti i FIFA-s kritikon organizimin e Kupës së Botës 2026 në SHBA

Deklaratat e Sepp Blatter vijnë pak muaj para se Shtetet e Bashkuara të organizojnë eventin së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.

28.01.2026. 11:31

Ish-presidenti i FIFA-s kritikon organizimin e Kupës së Botës 2026 në SHBA

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka rikthyer polemikat rreth Kupës së Botës 2026 me një postim në rrjetet sociale. Aty i bëri thirrje tifozëve që të shmangin udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Ai iu bashkua kritikave të këshilltarit të mëparshëm të etikës së FIFA-s, Mark Pieth, në një kohë tensionesh të shtuara ndërkombëtare gjatë administratës së presidentit Donald Trump.

“Për tifozët kam vetëm një këshillë: qëndroni larg SHBA-së”, shkruante Blatter të hënën në platformën “X”. “Mendoj se Mark Pieth ka të drejtë ta vërë në pikëpyetje këtë Kupë Bote”. Pieth, një ekspert ligjor zviceran që më parë ka këshilluar FIFA-n gjatë reformave kundër korrupsionit, kishte dhënë alarmin kundër udhëtimeve në SHBA në një intervistë për gazetën zvicerane “Der Bund”.

“Nëse marrim parasysh gjithçka që kemi diskutuar, ka vetëm një këshillë për tifozët: qëndroni larg SHBA-ve”, ishte shprehur. “Më mirë ta shihni nga televizioni. Sapo të mbërrijnë tifozët duhet të presin që nëse autoriteteve nuk u pëlqejnë do të dërgohen menjëherë me fluturimin e radhës në shtëpi”.

Deklaratat e Blatter vijnë pak muaj para se Shtetet e Bashkuara të organizojnë Kupën e Botës 2026 së bashku me Kanadanë dhe Meksikën. Gjithçka në një situatë tejet të tensionuar ndërkombëtare, duke përfshirë mosmarrëveshje tregtare, tarifa dhe përplasje diplomatike. Kritikët kanë ngritur shqetësime për politikat kufitare, zbatimin e rregullave të vizave dhe ndikimin e mundshëm të kufizimeve të udhëtimit për tifozët dhe ekipet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)