Kryeministri i Republikës Sërpska jep dorëheqjen pas presionit ndërkombëtar

Kjo është hera e dytë në disa muaj që Miniq jep dorëheqje dhe paralajmëron se do të emërohet sërish si kryeministër për formimin e qeverisë së entitetit.

16.03.2026. 17:02

Kryeministri i Republikës Sërpska jep dorëheqjen pas presionit ndërkombëtar

Kryeministri i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Savo Miniq dha dorëheqjen nga posti që mbante. Vendimin e njoftoi gjatë një konferencë për media, të mbajtur më 16 mars në Banjallukë. Ai tha se është konsultuar me presidentin e Republikës Sërpska, Sinisha Karan, i cili pritet ta propozojë sërish si mbajtës të mandatit për qeverinë e re.

Miniq, anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, partisë së Millorad Dodikut deklaroi se ka mbështetjen e shumicës në Kuvendin Popullor të RS-së. Sipas tij, dorëheqja synon të sigurojë legjitimitetin dhe legalitetin e qeverisë, duke shtuar se ka pasur kundërshtime edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Kjo është hera e dytë në disa muaj që Miniq jep dorëheqje dhe paralajmëron se do të emërohet sërish si kryeministër për formimin e qeverisë së entitetit. Ai ishte emëruar kryeministër më 2 shtator të vitit të kaluar, pas periudhës si ministër i Bujqësisë në Republikën Sërpska.

Dorëheqja e tij vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës më 23 janar, e cila shpalli qeverinë e tij si jo-kushtetuese. Gjykata argumentoi se mandatarin mund ta propozojë vetëm presidenti i entitetit, ndërsa Millorad Dodik, i cili kishte bërë propozimin fillestar, ishte përjashtuar nga ushtrimi i funksioneve publike për gjashtë vjet.

Kuvendi Popullor i RS-së pritet të shqyrtojë dorëheqjen e Miniq pasditen e së hënës. Ndërkohë, partitë opozitare në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës kanë kërkuar shpalljen e emërimit të tij si të paligjshëm, duke argumentuar se përdorimi i ushtrueses së detyrës së presidentit për këtë emërim shkel Kushtetutën dhe parimet e sundimit të ligjit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)