E diela e Serie A u mbyll me ndeshjen spektakolare dhe plot emocione, ku Juventusi arriti të rikuperojë disavantazhin e dy golave ndaj Lazios. Sfida në “Juventus Stadium” përfundoi në barazim 2-2, me rezultatin që u vulos nga goli i Kalulu në sekondat e fundit të shtesës. Ajo ishte një pikë, që ka shijen e fitores për bardhezinjtë.
Sfida pati dy fytyra. Lazio përballoi presionin e vendasve dhe në minutën e 47-të të pjesës së parë kaloi në avantazh me Pedro. Sapo nisi fraksioni i dytë i lojës, bardhkaltërit dyfishuan rezultatin me Isaksen, duke krijuar iluzionin e fitores.
Reagimi i “Zonjës së Vjetër” ishte i vendosur: në minutën e 59-të McKennie ngushtoi rezultatin me një goditje me kokë, duke rihapur ndeshjen. Që nga ai moment, ishte një sulm i vazhdueshëm i Juventusit, ndërsa Lazio u tërhoq për të mbrojtur avantazhin. Rastet nuk munguan nga të dyja palët, me bardhezinjtë që shtynë deri në fund në kërkim të barazimit.
Ata u shpërblyen kur ndeshja dukej e mbyllur. Në minutën e 96-të, pas një aksioni të nisur nga Boga, Kalulu u hodh në sulm dhe realizoi me kokë golin e barazimit 2–2, duke bërë që në stadium të shpërthente festa.
Madje, në aksionin e fundit, Openda ishte pranë golit të fitores për Juventusin, por rezultati nuk ndryshoi më. Me këtë barazim, skuadra e Spallettit konsolidon vendin në katërshen e parë, duke u ngjitur në kuotën e 46 pikëve. Lazio mbetet e teta me 33 pikë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)