Partizani triumfon në derbin e kryeqytetit, Tirana mbetet në “zonën e ftohtë”

Partizani ka fituar derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës me rezultatin 2-0, në sfidën e javës së 24-të të Superiores, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

15.02.2026. 18:50

Partizani triumfon në derbin e kryeqytetit, Tirana mbetet në “zonën e ftohtë”

Partizani ka fituar derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës me rezultatin 2-0, në sfidën e javës së 24-të të Superiores, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Të kuqtë dominuan pjesën e parë, ku ndërtuan avantazhin falë një loje të shpejtë dhe efikase, ndërsa bardheblutë reaguan në të dytën, por u ndalën nga shtyllat dhe traversa.

Goli i parë erdhi në minutën e 27’, kur Sidibe realizoi pas një aksioni individual të bukur, duke kaluar mbrojtjen kundërshtare. Në të 36’, Isgandarli dyfishoi shifrat pas një kundërsulmi model të Partizanit, duke e vënë ndeshjen në shinat e duhura për ekipin e tij.

Pjesa e dytë nisi me vonesë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që krijuan pellgje në fushë. Tirana u shfaq më këmbëngulëse, duke goditur dy herë shtyllën dhe traversën, fillimisht me Kobiljar e më pas me Mehmetin, por pa arritur të ndryshojë fatin e takimit.

Partizani administroi me qetësi rezultatin deri në fund, duke marrë tre pikë të rëndësishme dhe duke ruajtur diferencën me ndjekësit. Derbi konfirmoi formën e mirë të të kuqve, ndërsa Tirana mbetet me keqardhjen për rastet e humbura.

Në takimin tjetër të kësaj jave, Dinamo u ndal në barazim 1-1 nga Flamutari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)