Në prag të ndeshjes së Champions League kundër Bodo/Glimt, mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, doli në konferencë për shtyp ku komentoi jo vetëm sfidën e radhës, por edhe episodin e diskutuar në përballjen e fundjavës ndaj Juventusit, që çoi në përjashtimin e Pierre Kalulu me të kuq.
Bastoni pranoi se, pasi kishte rishikuar pamjet filmike, kontakti në fushë ishte “absolutisht i ekzagjeruar”. “Për këtë jam këtu: për ta pranuar dhe për të marrë përgjegjësitë e mia. Një njeri ka të drejtë të gabojë, por edhe detyrimin ta njohë gabimin,” deklaroi ai. Mbrojtësi shtoi se pendesa e tij më e madhe lidhet me sjelljen pas episodit.
Sa i përket paraqitjes në ndeshjen e ardhshme, Bastoni theksoi se tifozët do të shohin “Bastonin e zakonshëm”, duke kujtuar se në mbi 300 ndeshje në karrierë nuk ka qenë i përfshirë në situata të ngjashme. Ai pranoi se komentet në rrjetet sociale janë bërë pjesë e përditshmërisë, por se ka mësuar t’i menaxhojë.
Duke folur për kundërshtarin norvegjez, Bastoni vlerësoi Bodo/Glimt si një skuadër të fortë dhe të organizuar, me cilësi në kundërsulm. Ai nënvizoi se fusha sintetike dhe temperaturat e ulëta janë një sfidë, por Interi “nuk kërkon alibi”.
Në aspektin personal, lojtari dënoi sulmet dhe kërcënimet e marra nga familja e tij pas ndeshjes me Juventusin. “Mentalisht jam mirë dhe i gatshëm për të zbritur në fushë”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)