Atalanta regjistroi fitore me përmbysje kundër Napolit, në javën e 26-të të Serie A. Sfida e luajtur në Bergamo nisi me golin e shpejtë të miqve, që në minutën e 18-të kaluan në avantazh me Beukema. Skuadra vendase tentoi të reagojë me Sulemana, por Napoli ishte pranë dyfishimit të avantazhit.
Fillimisht Alisson Santos pa ti anulohej goli, ndërsa më pas sistemi VAR ndërhyri për të hequr penalltinë që ishte akorduar pas një kontakti në zonë ndaj Hojlund. Atalanta arriti të ndryshonte ritmin e lojës në pjesën e dytë dhe gjeti barazimin pas goditjes me kokë të Pasalic në të 61-ën.
Pak minuta më pas, në fushë për bluzinjtë u aktivizua edhe kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti. Aktivizimi i tij i dha ekuilibër dhe siguri skuadrës në fazën mbrojtëse, me Atalantën që u përqendrua në kërkimin e golit të fitores.
Rrjeta erdhi në minutën e 81-të, me Samardzic që me një tjetër devijim me kokë kompletoi përmbysjen në shifrat 2-1 për vendasit. Me këtë fitore, Atalanta kthehet në garën për një vend në Champions, duke u ngjitur në kuotën e 45 pikëve. Napoli në anën tjetër mbetet në kuotën e 50 pikëve, 14 pikë larg kryesuesve të Interit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)