S’ka Dritë e as Shkëndijë, shuhet flaka europiane e klubeve shqiptare

Eshtë mbyllur në fazën “play-off” të Conference League, rrugëtimi i Shkëndijës së Tetovës dhe Dritës në futbollin europian.

26.02.2026. 21:47

S’ka Dritë e as Shkëndijë, shuhet flaka europiane e klubeve shqiptare

Rruga evropiane e dy klubeve shqiptare, Shkëndijës nga Maqedonia e Veriut dhe Dritës nga Kosova, në UEFA Europa Conference League, ka përfunduar në fazën “play-off”, pas dy përballjeve të forta ndaj kundërshtarëve respektivë.

Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija u mposht 4-0 në ndeshjen e kthimit ndaj Samsunspor, duke u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 5-0 pas humbjes me një gol në takimin e parë.

Golat në Turqi u realizuan nga Oliver Ntcham, Sherif Ndiaye dhe Marius Mouandilmadji (dy herë). Skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri zhvilloi një pjesë të parë të mirë, duke krijuar raste dhe duke mbajtur ritëm të lartë loje. Megjithatë, një penallti në fillim të pjesës së dytë zhbllokoi sfidën dhe vendasit morën kontrollin e plotë të takimit.

Pavarësisht eliminimit, Shkëndija mbyll një kapitull historik në Evropë, duke arritur për herë të parë në këtë fazë të garës dhe duke siguruar mbi 6 milionë euro përfitime financiare nga pjesëmarrja.

Nuk ia doli as Drita, që u mposht në të dyja ndeshjet nga kampionët sllovenë të Celje-s, me rezultat të përgjithshëm 6-4.

Në ndeshjen e kthimit në Slloveni, vendasit realizuan dy herë brenda 25 minutave me Svit Seslar dhe Darko Hrka, ndërsa Drita reagoi përmes Blerim Krasniqit. Seslar shënoi sërish nga penalltia për 3-1 në pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë, Albert Dabiqaj ngushtoi shifrat, por Celje administroi avantazhin deri në fund, duke vulosur kualifikimin.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani largohet nga gara me paraqitje për t’u vlerësuar, duke dëshmuar konkurrencë dhe ambicie në arenën ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)