Aventura e pafat në Premier League, nuk i zbeh aftësitë e Thomas Strakoshës. Te AEK-u në Greqi, portieri është rikthyer në formën më të mirë, diçka që e ka reflektuar edhe me Kombëtaren, duke e ndihmuar Shqipërinë të kualifikohej në fazën “play-off” të Kupës së Botës.
Në fakt, 30-vjeçari rezulton mes portierëve më të mirë për vitin që lamë pas. Në përllogaritjen e faqes së specializuar të statistikave dhe vlerës së futbollistëve, “Transfermarkt”, Strakosha pozicionohet i katërti në renditjen special, të “gardianëve” që kanë mbajtur më tepër portën e paprekur në 2025-ën. Përllogaritja është bërë në 15 ligat më të forta në botë.
Në 44 ndeshje me klubin dhe Kombëtaren në të gjitha kompeticionet, ai e ka mbajtur portën të paprekur në 22 raste. Praktikisht Strakosha nuk ka pësuar gol në gjysmat e ndeshjeve të luajtura, teksa pesë prej tyre ishin në kualifikueset e Botërorit 2026. Më mirë se kuqeziu kanë bërë vetëm tre portierë: ukrainasi Turbin me 26 raste pa gol në 61 ndeshje, italiani Donnarumma në 24 raste dhe zvicerani Kobel.
Thomas Strakosha nga ana e tij ka lënë mbrapa portierë të nivelit botëror, si portugezin Diogo Costa, kapitenin e Spanjës, Unai Simon, spanjollin e Arsenalit, Raya apo edhe belgun e Real Madrid, Thibaut Courtois.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)