Entuziast për rinovimin, Sylvinho: Përpara me përkushtim

Marrëveshja e re është afatshkurtër, pasi zgjat për periudhën e ndeshjeve “play-off”, por me një synim ambicioz të pashkruar edhe gjatë periudhës kur zhvillohet Botërori 2026.

08.01.2026. 16:25

Entuziast për rinovimin, Sylvinho: Përpara me përkushtim

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho reagoi për herë të parë prej rinovimit të kontratës me Federatën e Futbollit. Edhe pse marrëveshja e re është afatshkurtër, ajo zgjat për periudhën e ndeshjeve “play-off”, por me një synim ambicioz të pashkruar edhe përgjatë fazës finale të Botërorit 2026.

"Përpara së bashku. Rinovova kontratën me Kombëtaren e Shqipërisë për 6 muaj të tjerë, duke vazhduar një punë të ndërtuar me shumë angazhim, seriozitet dhe bashkëpunim”, u shpreh tekniku brazilian. Në një analizë të kësaj peruidhe me Kombëtaren, drejtuesi i stolit kuqezi analizoi punën e bërë, arritjet, por edhe çfarë synohet për më tej.

“Deri më tani, kemi arritur një objektiv historik: kualifikimin për herë të dytë në historinë e vendit në finalet e Kampionatit Europian, duke shfaqur në fushë paraqitje konkurruese dhe të respektueshme. Së bashku kemi arritur kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Botërorit 2026. Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi. Ajo që na pret më pas do të kërkojë edhe më shumë përkushtim, punë të palodhur dhe angazhim nga të gjithë. Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri!”, shkruante Sylvinho.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)