Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për këdo që ofron informacione mbi disa drejtues të lartë iranianë, të cilët Uashingtoni i akuzon për përfshirje në aktivitete terroriste përmes Gardës Revolucionare Islamike.
Njoftimi është publikuar në programin e shpërblimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku renditen dhjetë persona të lidhur me strukturat drejtuese të Iranit.
Për gjashtë prej tyre janë publikuar edhe fotografi, ndërsa në krye të listës ndodhet udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei.
Në listë përfshihen gjithashtu disa zyrtarë të lartë të shtetit iranian, mes tyre Ali Asghar Hejazi, zëvendësshef i kabinetit në zyrën e liderit suprem, si dhe gjenerali dhe këshilltari ushtarak Yahya Rahim Safavi.
Po ashtu në listë janë edhe Ali Larijani, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, ministri i Brendshëm Eskandar Momeni dhe ministri i Inteligjencës dhe Sigurisë Esmail Khatib.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, këta individë drejtojnë dhe koordinojnë elementë të ndryshëm të Gardës Revolucionare Islamike, të cilët planifikojnë dhe kryejnë operacione terroriste në nivel ndërkombëtar.
Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje personave që kanë informacion të rëndësishëm të bashkëpunojnë me programin e shpërblimeve për të ndihmuar në identifikimin dhe ndalimin e aktiviteteve të tilla.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)