Ish-drejtori i FBI, James Comey, është paraqitur në një gjykatë federale në Virxhinia, pasi u padit lidhur me një postim në rrjetet sociale që, sipas prokurorëve, përbën kërcënim ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Comey u dorëzua për dy akuza, përfshirë kërcënim ndaj jetës së presidentit dhe dërgim kërcënimesh përtej kufijve shtetërorë. Gjatë seancës së shkurtër gjyqësore ai nuk bëri deklarata, ndërsa avokati i tij, Patrick Fitzgerald, tha se mbrojtja do të argumentojë se çështja është një ndjekje penale hakmarrëse.
Padia lidhet me një foto të publikuar nga Comey në Instagram, ku disa guaska deti formonin numrat “86-47”. Sipas interpretimit të prokurorisë, numri 86 përdoret si zhargon për të “hequr qafe” dikë, ndërsa 47 i referohet Trump si presidenti i 47-të, duke ngritur dyshime për një mesazh kërcënues.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se hetimi për këtë rast ka zgjatur gati një vit dhe është zhvilluar nga agjentë dhe prokurorë karriere, duke theksuar se çështje të tilla kërkojnë analizë të gjatë dhe të kujdesshme, shkruan Newsmax.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Todd Blanche, u shpreh se akuza bazohet në ligjin federal që ndalon kërcënimet ndaj presidentit dhe nuk lidhet me lirinë e shprehjes. Sipas tij, prokuroria duhet të provojë qëllimin në gjykim, por theksoi se ligji është i qartë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Comey ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar në një video se postimi ishte koment politik dhe se ai mbetet i pafajshëm. “Jam ende i pafajshëm, nuk kam frikë dhe besoj në drejtësinë federale të pavarur”, u shpreh ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)