Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka vijuar me deklaratat e forta lidhur me luftën në Iran, duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm nëse Teherani nuk tërhiqet.
Gjatë një daljeje për mediat në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të aktiviteteve për Pashkën, Trump tha se SHBA mund të vazhdojë goditjet ndaj infrastrukturës iraniane. Ai përmendi konkretisht ura dhe centrale energjetike si objektiva të mundshëm.
“Dhe nëse nuk dorëzohen, nuk do të kenë ura. Nuk do të kenë centrale energjie. Nuk do të kenë asgjë”, u shpreh ai.
Presidenti theksoi se nuk synon të shkojë më tej se kaq, por paralajmëroi se ekzistojnë opsione edhe më të ashpra.
Në të njëjtën kohë, Trump u ndal edhe tek rrëzimi i një avioni amerikan, duke e cilësuar si një “goditje me fat” nga ana e Iranit, ndërsa pranoi se disa mjete ajrore amerikane kanë pësuar dëmtime gjatë operacioneve.
Ai foli gjithashtu për operacionin e shpëtimit të pilotit të mbetur në territorin iranian, duke e cilësuar si një mision të rrallë dhe tepër të rrezikshëm.
Sa i përket situatës politike, Trump deklaroi se janë në zhvillim negociata me “njerëz të arsyeshëm” brenda Iranit, duke shtuar se udhëheqja aktuale është më pak radikale se më parë.
“Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Janë të çmendur dhe nuk mund t’u japësh armë të tilla”, shtoi presidenti.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta, ndërsa SHBA dhe Izraeli vijojnë fushatën ushtarake kundër objektivave iraniane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)