Foltoren e radhës, Sali Berisha ia kishte dedikuar Edi Ramës, duke e akuzuar kryeministrin për situatën ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve.
Sipas kreut të demokratëve, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në botë dhe kjo për shkak të barrës fiskale që ka vendosur kjo qeveri për karburantet.
“Nafta ka arritur në nivelin më të lartë në botë. Mashtruesi ka thënë që deri në këtë nivel do të ulë akcizën me 8 lekë. Ky njeri ka vendosur barrën fiskale më të lartë në botë për naftën. Kush të dojë le të kontrollojë. Jemi me barrën fiskale më të lartë në botë dhe ky tallet me shqiptarët. Nuk ka asnjë mëshirë”, tha ai.
Po kështu Berisha kishte të njëjtin qëndrim dhe për studimet në arsimin e lartë, të cilat po ashtu sipas tij janë disa herë më të larta se në vendet e tjera të Evropës.
“Qëndrimi i tij ndaj të rinjve është armiqësor. Studentëve iu them që iu paguani tarifën më të lartë, pas atyre në Britani dhe Holandë. Ju paguani një tarifë 4 herë më të lartë se Austria, Slloveni, Franca e Italia. Dhe po t’i marrim në propocion me rrogat është 16 herë më e lartë. Ky iu tregon dokrra studentëve se e ndalonin nëpër aeroporte”, shtoi Berisha.
Në fund, kreu i PD foli dhe për çështjen e integrimit, teksa nuk harroi të ftonte qytetarët në protestën e radhës të opozitës.
“Vizat nuk i hoqi ai. Ai madje bënte protesta. Kemi të bëjmë me një njeri që nuk ka turp, nuk ka ndjenja. Platforma jonë do të triumfojë. Lubia është lule përballë tij. Ai po mbron vjedhjet familjare dhe qeveritare. Me Edi Ramën, integrimi është një horizont i pakapshëm. Një horizont që largohet”, përfundoi Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)