Sarandë, arrest me burg për shtetasin francez të dyshuar për mashtrim kompjuterik

I dyshuari në bashkëpunim me persona të tjerë ka përvetësuar të dhëna bankare të qytetarëve shqiptarë përmes skemave mashtruese ku përdorej emri i Postës Shqiptare.

27.05.2026. 12:47

Sarandë, arrest me burg për shtetasin francez të dyshuar për mashtrim kompjuterik

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për një shtetas francez me inicialet Z.K.. Ai dyshohet për veprën penale “mashtrim kompjuterik”.

Sipas organit të akuzës, në kuadër të procedimit penal nr. 313/2026, i dyshuari në bashkëpunim me persona të tjerë ka përvetësuar të dhëna bankare të qytetarëve shqiptarë përmes skemave mashtruese online. Hetimet tregojnë se autorët kanë përdorur karta SIM të regjistruara me identitete të tjera për të dërguar mesazhe mashtruese në masë.

Sipas prokurorisë, në këto mesazhe përdorej emri i Postës Shqiptare. Aty qytetarëve u kërkohej të paguanin tarifa doganore për një paketë të pretenduar, me qëllim përfitimin e paligjshëm të të dhënave financiare dhe aksesit në llogari bankare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)