Janë nxjerrë të sigurt në sipërfaqe, pas një operacioni shpëtimi që zgjati disa orë, të 41 minatorët që kishin mbetur të bllokuar në një minierë në rajonin e Luhansk.
Sipas autoriteteve lokale të mbështetura nga Moska, incidenti ndodhi pasi një sulm i forcave ukrainase goditi territorin e minierës Belorechenskaya, duke dëmtuar një nënstacion elektrik dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë. Si pasojë, 41 punëtorë mbetën të izoluar në nëntokë.
Autoritetet kishin bërë të ditur më herët se ishte vendosur kontakt me minatorët dhe se ata kishin furnizime me ujë, ndërsa ekipet e emergjencës punuan për rikthimin e energjisë dhe nxjerrjen e tyre në sipërfaqe.
Ndërkohë, situata në Ukrainë mbetet e tensionuar. Në qytetin Odessa, një sulm rus ka shkaktuar të paktën tre viktima, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe dhjetëra të plagosur. Disa prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Autoritetet lokale raportojnë gjithashtu dëme të mëdha materiale, me ndërtesa banimi, një kopsht privat, automjete dhe biznese të prekura nga bombardimet.
Ngjarjet tregojnë për përshkallëzim të vazhdueshëm të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, ku sulmet reciproke po shkaktojnë viktima dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe popullsinë civile.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)