Në të parin mesazh Krishtlindjesh “Urbi et Orbi”, Leoni i XIV i kujtoi botës dhimbjen e popullit të Gazës, për të treguar se njerëzimi ka nevojë për paqe, dialog dhe përgjegjësi, në mënyrë që të ndalen konfliktet që po marrin jetë njerëzish.
Ati i Shenjtë udhëhoqi Meshën e Ditës së Krishtlindjeve nga altari qendror poshtë Bazilikës së Shën Pjetrit, e zbukuruar me kurora lulesh dhe tufa me lule të kuqe. Lule të bardha u vendosën në këmbët e një statuje të Marisë, nënës së Jezusit, lindja e së cilës festohet në Ditën e Krishtlindjeve.
Duke kujtuar se Zoti u bë mish nëpërmjet lindjes së Jezusit në një grazhd në Betlehem, Papa e krahasoi fjalën e Zotit me "një tendë të brishtë midis nesh".
“Si mund të mos mendojmë atëherë për tendat në Gaza, të ekspozuara për javë të tëra ndaj shiut, erës dhe të ftohtit, dhe për ata kaq shumë refugjatë të tjerë dhe persona të zhvendosur në çdo kontinent, ose për strehimet e improvizuara të mijëra njerëzve të pastrehë në qytetet tona”, tha Ati i Shenjtë.
Papa u kujdes që mesazhin e tij ta përforconte duke recituar vargjet e poetit më të madh izraelit, Yehuda Amichai, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të bashkëjetesës mes hebrenjve dhe palestinezëve.
"Jo paqja e një armëpushimi, / as vizioni i ujkut dhe i qengjit, / por përkundrazi / si në zemër kur eksitimi mbaron / dhe mund të flitet vetëm për një lodhje të madhe. / (…) Le të vijë / si lulet e egra, / papritur, sepse fusha / ka nevojë për të: paqe e egër."
Papa kujtoi gjithashtu brishtësinë e “popullatave të pambrojtura, të sprovuara nga kaq shumë luftëra dhe të të rinjve të detyruar të marrin armët, të cilët në vijën e frontit ndiejnë pakuptimësinë e asaj që u kërkohet atyre, dhe gënjeshtrat që mbushin fjalimet pompoze të atyre që i dërgojnë ata drejt vdekjes së tyre”.
“Jezusi merr mbi vete brishtësinë tonë, identifikohet me secilin prej nesh: me ata që nuk kanë më asgjë dhe kanë humbur gjithçka, si banorët e Gazës; me ata që janë të pushtuar nga uria dhe varfëria, si populli jemenas; me ata që janë në arrati nga vendi i tyre për të kërkuar një të ardhme diku tjetër, si shumë refugjatë dhe emigrantë që kalojnë Mesdheun apo përshkojnë Kontinentin Amerikan; me ata që kanë humbur punën dhe me ata që ende e kërkojnë, si shumë të rinj që e kanë të vështirë të gjejnë një punë; me ata që shfrytëzohen, si shumë punëtorë të nënpaguar; me ata që janë në burg dhe shpesh jetojnë në kushte çnjerëzore”, tha Leoni i XIV nga Lozha e Bekimeve.
Leoni nënvizoi se paqja mund të lindë vetëm përmes dialogut. “Do të ketë paqe kur monologët tanë të ndërpriten dhe, të pasuruar nga dëgjimi, të biem në gjunjë para njerëzillëkut të tjetrit”, tha ai.
Mijëra njerëz mbushën Bazilikën për Meshën e parë të Papës për Ditën e Krishtlindjeve, duke mbajtur lart telefonat e tyre për të kapur imazhe të procesionit hapës.
Ky sezon Krishtlindjesh shënon përfundimin e festimeve të Vitit të Shenjtë, të cilat do të mbyllen më 6 janar, festën katolike të Epifanisë që shënon vizitën e tre burrave të mençur te foshnja Jezus në Betlehem.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)