Një situatë e pazakontë është regjistruar në aeroportin e Brindisi në Itali, ku furnizimi me karburant për avionët është ndërprerë përkohësisht, të paktën deri në mesditën e 7 prillit. Sipas njoftimeve zyrtare aeronautike, kompanive ajrore u është kërkuar të planifikojnë fluturimet duke marrë sasinë e nevojshme të karburantit që nga aeroportet e mëparshme.
Autoritetet bëjnë të ditur se në Brindisi janë të disponueshme vetëm sasi shumë të kufizuara karburanti, të rezervuara për fluturime shtetërore, emergjente, kërkim-shpëtimi dhe shërbime mjekësore. Kjo situatë ka krijuar vështirësi për operimin normal të fluturimeve civile.
Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në aeroporte të tjera italiane, si në Milanp Linate, Venecia, Treviso dhe Bologna. Ndërkohë, në Reggio Calabria është vendosur kufizim në furnizim, ndërsa në Abruzzo operohet vetëm me një autocisternë të vetme.
Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me krizën globale të energjisë dhe rritjen e çmimeve të naftës, të ndikuara nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe rreziku i bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse tensionet vazhdojnë, ndikimi në transportin ajror dhe zinxhirin e furnizimit mund të përkeqësohet, duke sjellë vonesa, rritje kostosh dhe kufizime të tjera për fluturimet ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)