7 lojtarë të kombëtares së Eritreas nuk janë kthyer në atdhe pas një fitoreje historike ndaj Eswatini, duke ngritur shqetësime të reja për fenomenin e largimeve të sportistëve nga vendi.
Skuadra eritriane arriti një sukses të rëndësishëm, duke fituar 2-1 në transfertë dhe duke siguruar kualifikimin në fazën e grupeve të Kupës së Afrikës për herë të parë pas 19 vitesh. Megjithatë, gëzimi u zbeh nga lajmi se 7 futbollistë, përfshirë portierin Kubrom Solomon dhe anësorin Medhanie Redie, nuk janë kthyer me ekipin.
Burime pranë skuadrës bëjnë të ditur se disa nga lojtarët janë parë në Afrikën e Jugut, ndërsa nuk ka ende informacion të saktë për vendndodhjen e tyre. Nga 24 lojtarë, vetëm një pjesë e vogël u kthyen në kryeqytetin Asmara.
Ky nuk është rasti i parë i tillë. Gjatë dy dekadave të fundit, shumë sportistë eritrianë kanë kërkuar azil jashtë vendit, shpesh pas ndeshjeve ndërkombëtare. Organizatat për të drejtat e njeriut e lidhin këtë fenomen me kushtet e vështira dhe regjimin e ashpër në vend, akuza që autoritetet i mohojnë.
Ngjarja e fundit shihet si një goditje për futbollin eritrian, në një moment kur pritej një ringjallje pas suksesit sportiv.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)