E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet e paqartë dhe sipas mediave italiane, mesfushori i Kombëtares pritet të rikthehet sërish në një situatë të ndërlikuar në fund të sezonit. Edicioni 2025-2026 nuk do të jetë ndër më të mirët për t’u kujtuar nga futbollisti shqiptar, i cili fillimisht u largua nga Interi në huazim drejt Torinos dhe më pas përfundoi te Besiktas.
Në analizën që “Gazzetta Dello Sport” i ka bërë lojtarëve të huazuar nga zikaltërit, një pjesë e veçantë i kushtohet edhe Asllanit. Aty është vendosur theksi te vështirësitë që lojtari ka pasur për të gjetur vazhdimësi dhe për të bindur në skuadrat ku ka luajtur këtë sezon.
“Sezoni i mesfushorit shqiptar, të cilin Interi e mori nga Empoli si një Calhanoglu të ardhshëm, nuk është pozitiv. Ai nuk ia doli ta mbante presionin”, shkruan gazeta italiane, duke nënvizuar se pritshmëritë e larta nuk janë përmbushur.
Sipas artikullit, aventura e tij te Torino nuk zgjati shumë dhe u mbyll para kohe. “Këtë vit, Asllani e filloi në huazim te Torino, por gjithashtu nuk arriti të gjente veten, aq sa drejtuesit e klubit vendosën t’i përfundonin kontratën para kohe”, thekson “Gazzetta”. Zgjidhja e radhës u gjet në merkaton e janarit, kur Asllani kaloi te Besiktas-i, por debutimi i tij u konsiderua problematik.
“Debutimi i tij ishte një makth: hyri si zëvendësues në minutën e 76-të të ndeshjes kundër Konyaspor, vetëm për t’u ndëshkuar me karton të kuq shtatë minuta më vonë, ku mori edhe dy ndeshje pezullim”, shkruhej më tej. Edhe pse më pas ai fitoi një vend titullari, statistikat dhe paraqitjet nuk kanë qenë bindëse. “Totali i tij është vetëm 1 asist në 8 ndeshje dhe performancat e tij në përgjithësi janë mesatare ose nën nivelin e duhur”, vijon analiza.
Për këtë arsye, sipas gazetës sportive italiane, është e vështirë që Besiktas të vendosë ta blejë përfundimisht mesfushorin shqiptar. “Është e vështirë që klubi turk të vendosë të ushtrojë opsionin për ta blerë, me çmimin që është vendosur në rreth 12 milionë euro”, përfundon “Gazzetta Dello Sport”, duke lënë të kuptohet se Asllani mund të rikthehet te Interi, por pa një destinacion të qartë për të ardhmen.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)