Tentuan ti vidhnin varësen e floririt, grabitësit kafshojnë turistin spanjoll në qafë

Hetuesit arritën të identifikojnë autorët përmes kamerave të sigurisë dhe fotografive të personave me precedentë penalë, të tre u arrestuan katër ditë pas ngjarjes.

09.05.2026. 10:27

Tentuan ti vidhnin varësen e floririt, grabitësit kafshojnë turistin spanjoll në qafë

Një turist spanjoll është sulmuar brutalisht nga tre grabitës pranë stacionit Stacionit të Terminit në Romë, pasi autorët tentuan t’i vidhnin varësen e floririt që mbante në qafë. Sipas mediave italiane, tre shtetas egjiptianë, të moshave 29, 23 dhe 23 vjeç, janë arrestuar dhe akuzohen për grabitje dhe grabitje me rrethana rënduese.

Viktima, një 30-vjeçar nga Spanja, ka marrë plagë në qafë dhe vesh pas sulmit, ndërsa mjekët i kanë dhënë një raport mjekësor prej 10 ditësh. Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe së hënës. Turisti kishte zbarkuar prej pak ditësh në Romë bashkë me një mik dhe po kthehej në apartament pas një mbrëmjeje në zonat e jetës së natës.

Rreth orës 03:00 të mëngjesit, tre personat e akuzuar iu afruan dy të rinjve me një pretekst, por më pas i rrethuan. 30-vjeçari tentoi të largohej me vrap drejt banesës ku po qëndronte, ndërsa shoku i tij iku në drejtim tjetër. Sapo mbërriti te hyrja e pallatit dhe po përpiqej të hapte derën, ai u kap nga dy prej grabitësve, të cilët e kafshuan në qafë dhe në vesh për t’i marrë varësen.

Pas sulmit, autorët u larguan në errësirën e natës. Viktima, e tronditur, u paraqit fillimisht në komisariat dhe më pas në spital për trajtim mjekësor. Hetuesit arritën të identifikojnë autorët përmes kamerave të sigurisë dhe fotografive të personave me precedentë penalë. Të tre u arrestuan katër ditë pas ngjarjes dhe pritet të dalin para gjykatës në një proces të përshpejtuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)