Ish-kryeministri i Spanjës nën hetim për pastrim parash

Ish-kryeministri i Spanjë, José Luis Rodríguez Zapatero, është vendosur zyrtarisht nën hetim penal nga drejtësia spanjolle për dyshime mbi shpërdorim ndikimi dhe vepra të tjera të lidhura me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore Plus Ultra gjatë pandemisë COVID-19.

Burimi: The Guardian

19.05.2026. 14:42

Ish-kryeministri i Spanjës nën hetim për pastrim parash

Ish-kryeministri i Spanjë, José Luis Rodríguez Zapatero, është vendosur zyrtarisht nën hetim penal nga drejtësia spanjolle për dyshime mbi shpërdorim ndikimi dhe vepra të tjera të lidhura me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore Plus Ultra gjatë pandemisë COVID-19.

Zapatero, i cili drejtoi qeverinë spanjolle nga viti 2004 deri në 2011, është urdhëruar të paraqitet më 2 qershor në Gjykatën Kombëtare Penale të Spanjës. Ky konsiderohet rasti i parë në historinë moderne të vendit kur një ish-kryeministër vendoset nën hetim penal si i dyshuar.

Hetimi lidhet me ndihmën shtetërore prej 53 milionë eurosh që qeveria spanjolle miratoi në mars të vitit 2021 për kompaninë ajrore Plus Ultra Líneas Aéreas. Prokurorët po shqyrtojnë nëse fondet publike janë përdorur në mënyrë të parregullt dhe nëse kompania ka shërbyer për pastrim parash të lidhura me Venezuelën përmes Francës, Zvicrës dhe Spanjës.

Gjykata autorizoi gjithashtu kontrolle në zyrën e Zapateros dhe në tre kompani të tjera që lidhen me çështjen.

Ish-kryeministri ka mohuar çdo shkelje ligjore. Ai deklaroi më herët para një komisioni senatorial se “nuk ka marrë asnjë komision nga Plus Ultra”, por pranoi se kishte kryer punë konsulence për mikun e tij Julio Martínez Martínez, biznesmen i lidhur me kompaninë ajrore dhe i arrestuar vitin e kaluar nga policia antikorrupsion.

Nga ana tjetër, presidenti i Plus Ultra, Julio Martínez Sola, insistoi se procesi i shpëtimit financiar ishte zhvilluar “në përputhje të plotë me ligjin” dhe se kompania nuk kishte përfituar trajtim preferencial.

Hetimi ndaj Zapateros vjen në një moment të ndjeshëm politik për socialistët spanjollë, pasi edhe kryeministri aktual Pedro Sánchez po përballet me akuza për korrupsion që përfshijnë familjarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë së tij.

Partia Socialiste spanjolle doli në mbrojtje të Zapateros, duke e cilësuar atë si një lider që solli reforma të rëndësishme sociale dhe duke akuzuar të djathtën për sulme politike ndaj figurave socialiste.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)