Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei e bëri sot përgjegjës Presidentin e SHBA-ve Donald Trump, për "viktimat, dëmin dhe shpifjet që ai i shkaktoi popullit iranian" gjatë protestave që mbërthyen vendin për më shumë se dy javë.
Në postimin e parë që udhëheqësi Iranian ka bërë në profilin e tij në ‘X’ në gjuhën perse që nga 12 janari, Khamenei tha gjithashtu se trazirat e fundit u shkaktuan nga "rebelimi amerikan", qëllimi i të cilit, sipas tij, është të "gëlltisë Iranin".
Khamenei më parë i kishte akuzuar protestuesit se vepronin në emër të Trump dhe "terroristëve të tjerë të huaj".
"Populli iranian e ka thyer shtyllën kurrizore të rebelimit. Ata duhet ta thyejnë edhe shtyllën kurrizore të rebelëve. Ne nuk po e çojmë vendin në luftë, por nuk do të heqim dorë nga kriminelët vendas dhe ndërkombëtarë të rebelimit amerikan", tha më tej ai.
Gjatë trazirave, disa protestues dogjën edhe kukulla me fytyrën e Khameneit. Djegia e fotove të udhëheqësit 86-vjeçar me cigare po ashtu u bë një simbol i sfidës kombëtare kundër regjimit të tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)