Autoritetet amerikane dhe FBI kanë nisur një hetim për atë që po cilësohet si një akt terrorizmi i frymëzuar nga ISIS, pas përdorimit të dy pajisjeve artizanale shpërthyese pranë rezidencës zyrtare të kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut.
Ngjarja ndodhi të shtunën pranë rezidencës së kryebashkiakut Zohran Mamdani, e njohur si “Gracie Mansion”, gjatë një proteste ku një grup protestuesish anti-islam u përball me një grup më të madh kundërprotestuesish.
Zyrtarja e Policisë, Jessica Tisch tha se të dy pajisjet shpërthyese u ndezën dhe të paktën njëra prej tyre u hodh në drejtim të turmës. Sipas saj, pajisjet mund të kishin shkaktuar lëndime serioze ose edhe vdekje.
Policia arrestoi dy të rinj të dyshuar për incidentin, 18-vjeçarin Emir Balat dhe 19-vjeçarin Ibrahim Kayumi, të dy nga shteti i Pennsylvanisë. Sipas hetuesve, një nga pajisjet përmbante triacetone triperoxide, një lëndë shpërthyese e rrezikshme dhe shumë e paqëndrueshme.
Hetimet zbuluan gjithashtu një automjet në zonën Upper East Side që lidhej me të dyshuarit. Brenda tij, policia gjeti materiale të tjera të dyshimta dhe një pajisje të mundshme shpërthyese.
Pajisjet dyshohet se ishin bërë nga shishe qelqi të mbushura me material shpërthyes dhe të rrethuara me vida dhe bulona për të rritur efektin e shpërthimit.
FBI dhe njësia e përbashkët kundër terrorizmit po analizojnë provat, videot dhe dëshmitë për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Kryebashkiaku Mamdani dënoi incidentin, duke theksuar se dhuna në protesta është e papranueshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)