Lufta në Lindjen e Mesme ka nisur të japë efektet e para me rritjen e çmimit të naftës dhe një krizë energjetike që mund të godasë rëndë Europën, mund të jetë e pashmangshme.
Këtë e ka evidentuar edhe Moska, e cila sipas Presidentit rus Vladimir Putin është e gatshme të punojë përsëri edhe me klientë evropianë nëse ata duan të kthehen në një partneritet afatgjatë dhe jo të politizuar.
Shefi i Kremlinit i shtriu sot dorën për ndihmë BE-së, teksa tha se lufta me Iranin ka shkaktuar një krizë globale energjetike dhe paralajmëroi se prodhimi i naftës që varet nga transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit së shpejti mund të ndalet plotësisht.
"Ne jemi gati të punojmë me evropianët, por kemi nevojë që ata të na japin shenja se janë të gatshëm", tha Putin në një takim qeveritar të fokusuar në situatën në tregun e hidrokarbureve.
Putin shtoi gjithashtu se kompanitë ruse duhet të përfitojnë nga situata aktuale në Lindjen e Mesme, megjithëse vuri në dukje se rritja e ndjeshme e çmimeve ka të ngjarë të jetë e përkohshme.
Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës dhe ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë, por për momentin duket se BE-ja nuk është e gatshme të pranojë ndihmën e Putinit.
Ministrat e financave të G7 lëshuan sot një deklaratë pas takimit të tyre virtual për të shqyrtuar kushtet e tregut të energjisë në mes të luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
"Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën dhe zhvillimet në tregjet e energjisë dhe do të takohemi sipas nevojës për të shkëmbyer informacion dhe për të koordinuar veprimet tona brenda G7 dhe me partnerët ndërkombëtarë. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim masat e nevojshme, duke përfshirë veprimet për të mbështetur furnizimin global me energji, siç është lirimi i rezervave", thanë ata.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)