Gjithnjë e më shumë njerëz po nxitojnë të largohen nga Dubai dhe shtetet e tjera të Emirateve Arabe, duke u kther në atdheun e tyre për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Kjo ka bërë që shumë prej atyre që janë larguar të lënë pas kafshët e tyre shtëpiake, kryesisht qentë.
Sipas informacioneve nga Daily Mail, ditët e fundit, veterinerët kanë marrë shumë mesazhe për kafshë shtëpiake të braktisura, ndërsa ka pasur edhe një rritje të kërkesave për eutanazi.
K9 Friends Dubai, një strehë adoptimi që ndihmon qentë endacakë në Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë se kohët e fundit ka marrë një fluks kërkesash nga pronarët që duan të heqin dorë nga kafshët e tyre shtëpiake në mënyrë që ato të mund të largohen nga qyteti, si dhe thirrje për këlyshë të braktisur.
Organizatat e mirëqenies së kafshëve po përpiqen të gjejnë strehimore, por kërkesa është e madhe. Në disa raste, disa veterinarë madje detyrohen të eutanizojnë kafshët shtëpiake sepse pronarët e tyre nuk duan të përballojnë kostot e zhvendosjes ose procedurat burokratike të kërkuara.
Claire Hopkins, një banore e Dubait e cila punon vullnetare në organizata dhe strehimore të ndryshme për mirëqenien e kafshëve, thotë se strehimoret e kafshëve janë nën presion të madh financiar, pasi aktivitetet e mbledhjes së fondeve i nënshtrohen rregulloreve të rrepta dhe faqet e Gofundme nuk lejohen në Dubai.
Vullnetarja thotë se shumë pronarë kafshësh shtëpiake janë në panik dhe të stresuar. Hopkins vëren se "disa njerëz duan të kthejnë kafshët e tyre të adoptuara”, ndërsa linjat ajrore nuk po transportojnë kafshë për momentin, pasi ka kufizime fluturimi.
"Nëse doni të vaksinoni kafshën tuaj kundër tërbimit, atëherë duhet ta shtyni udhëtimin tuaj për tre javë të tjera. Më vjen keq ta them, por veterinerët po marrin pyetje në lidhje me eutanazinë, gjë që është e neveritshme. Shumica e veterinerëve do t'i referonin ata në strehimore, por ne jemi tashmë plot", shton ajo.
Anso Stander, një grua nga Afrika e Jugut që drejton strehën e kafshëve ‘Six Hounds’ në Al Ain, përshkruan një situatë të ngjashme. Stander thotë se merr kërkesa të panumërta për të strehuar mace dhe qen të braktisur. "Vetëm brenda një dite, mora 27 mesazhe”, thotë ajo.
"Njerëzit po largohen nga vendi dhe na thonë me shumë edukatë dhe në mënyrë diskrete se nëse nuk mund t'i pranojmë, do t'i lëmë. Po flasim për njerëz me 20 mace që përpiqen të largohen nga vendi", zbulon ajo.
Në një rast, ajo madje gjeti një kuti transporti plot me mace jashtë strehës së saj të kafshëve me një shënim të shkruar në anglisht, ku shkruhej: "Katër kotele dhe macja nënë në kuti. Po kthehem në vendin tim për shkak të situatës këtu. U përpoqa të telefonoja, por askush nuk u përgjigj, kështu që gjeta adresën tuaj. Më vjen shumë keq që e lashë në pragun tuaj”.
Stander raporton gjithashtu se dy qen janë qëlluar në shkretëtirë midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit.
"Në kohë si këto, kafshët vuajnë në heshtje. Disa mund të lihen pas në kaos. Por nuk mund ta bëjmë vetëm, na duhen donatorë për të ndërtuar strehimore në natyrë për macet dhe kafaze për qentë, si dhe shpenzime për stafin, ushqimin dhe veterinerin", shprehet ajo.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)