Tragjedi në Zvicër, një burrë i vë flakën autobusit, 6 të vdekur dhe 5 të plagosur

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, policia kantonale e Fribourg ka konfirmuar se nga incidenti kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Burimi: Blick

10.03.2026. 22:43

Tragjedi në Zvicër, një burrë i vë flakën autobusit, 6 të vdekur dhe 5 të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në mbrëmje në Kerzers, në kantonin Fribourg të Zvicrës, ku një autobus postar u përfshi nga flakët duke shkaktuar disa viktima dhe të plagosur.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, policia kantonale e Fribourg ka konfirmuar se nga incidenti kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Flakët e fuqishme përfshinë automjetin pranë ndalesës së fundit në Murtenstrasse, ndërsa re të mëdha tymi u panë për kilometra të tëra. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, nga autobusi kishte mbetur vetëm skeleti i djegur.

Sipas Blick, dëshmitarë okularë raportuan se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një person brenda autobusit. Në një video të siguruar nga gazeta, një burrë me fytyrë të nxirë nga tymi dëgjohet duke thënë në shqip: “Një burrë ia vuri flakën vetes brenda. Ai derdhi benzinë dhe ia vuri flakën vetes.” Megjithatë, këto deklarata ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga policia.

Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes. Në vendngjarje janë dërguar nëntë ambulanca dhe një helikopter shpëtimi.

Policia kantonale e Fribourg ka bërë të ditur se tre nga pesë të plagosurit janë transportuar në spital, ndërsa dy të tjerët janë trajtuar në vendngjarje. Identiteti i të plagosurve është i njohur, por gjashtë viktimat ende nuk janë identifikuar.

Zëdhënësja e policisë tha se autoritetet kanë marrë informacione se një person mund të jetë lyer me benzinë brenda autobusit, por shtoi se kjo nuk është konfirmuar ende.

“Kemi informacione se një person mund të ketë qenë përgjegjës për zjarrin, por ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Publik të Fribourg ka marrë drejtimin e hetimeve për këtë rast të rëndë, por nuk përjashtohet përfshirja edhe e autoriteteve federale, përfshirë Fedpol.

Policia nuk ka komentuar nëse personi i dyshuar për ndezjen e zjarrit është mes viktimave apo të plagosurve. Gjithashtu, autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion nëse incidenti mund të lidhet me një sulm terrorist.

Autobusi postar po udhëtonte në linjën nga Düdingen për në Kerzers kur ndodhi tragjedia.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)