Sulm me dron ndaj centralit bërthamor Barakah në Abu Dhabi

Zyrtarët e Emirateve nuk shpallën përgjegjës për sulmin, por më parë e kanë akuzuar Iranin për sulme të ngjashme ndaj objektivave të tyre të energjisë, në atë që e kanë quajtur një përshkallëzim të konfliktit në rajon.

Burimi: Reuters

17.05.2026. 15:38

Sulm me dron ndaj centralit bërthamor Barakah në Abu Dhabi

Një sulm me dron shkaktoi zjarr në një central bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe, siç konfirmuan të dielët zyrtarët në Abu Dhabi, në një kohë kur progresi duket se ka ngecur në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin dhe për të rinisur transportin detar në Gjirin Persik.

Zyrtarët e Emirateve nuk shpallën përgjegjës për sulmin, por më parë e kanë akuzuar Iranin për sulme të ngjashme ndaj objektivave të tyre të energjisë, në atë që e kanë quajtur një përshkallëzim të konfliktit në rajon.

“Droni se goditi një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të Centralit Bërthamor Barakah”, tha Zyra e Medias në Abu Dhabi.

“Nivelet e sigurisë radiologjike dhe operacionet nuk u prekën dhe nuk pati të lënduar”, sqarohet më tej.

Sakaq, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se po e ndiqte situatën nga afër.  IAEA njoftoi sot se është informuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe se nivelet e radioaktivitetit në centralin bërthamor Barakah mbeten në nivele normale dhe se nuk janë raportuar të lënduar pas sulmit.

"IAEA po monitoron nga afër situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi është e gatshme të ofrojë ndihmë nëse është e nevojshme", thuhej në deklaratën e lëshuar prej tyre.

Gjatë luftës që filloi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, Irani ka synuar vazhdimisht Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetet e tjera të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke goditur vende që përfshijnë infrastrukturë civile dhe energjetike.

Irani i përshkallëzoi sulmet e tilla ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në fillim të këtij muaji, pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi një mision detar për të hapur Ngushticën e Hormuzit, të cilin e pezulloi pas 48 orësh.

Më shumë se pesë javë pasi hyri në fuqi një armëpushim i brishtë në konflikt, kërkesat e SHBA-së dhe Iranit mbeten shumë larg njëra-tjetrës, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës dhe për të rihapur ngushticën, rrugën më të rëndësishme të transportit detar në botë për naftë dhe gaz.

Uashingtoni i ka bërë thirrje Teheranit të çmontojë programin e tij bërthamor dhe të heqë kontrollin e tij mbi Ngushticën, ndërsa Teherani ka kërkuar kompensim për dëmet e luftës, një fund të bllokadës amerikane të porteve iraniane dhe një ndalim të luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë në Liban, ku Izraeli po lufton Hezbollahun e mbështetur nga Irani.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)