Protestat dhe grevat në Iran kanë hyrë në ditën e tretë, duke u përhapur nga kryeqyteti Teheran në disa qytete të tjera të vendit, si pasojë e inflacionit të lartë dhe zhvlerësimit të fortë të monedhës kombëtare.
Trazirat nisën të dielën, kur tregtarët e Pazarin e Madh të Teheranit mbyllën dyqanet në shenjë proteste, pasi riali iranian shënoi nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit amerikan në tregun e lirë.
Sipas mediave, demonstrata janë zhvilluar edhe në qytetet Karaj, Hamedan, Qeshm, Malard, Isfahan, Kermanshah, Shiraz dhe Yazd. Në disa raste, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Qeveria iraniane deklaroi se i njeh protestat dhe se do t’i dëgjojë kërkesat e qytetarëve me durim.
Presidenti Masoud Pezeshkian njoftoi se ka urdhëruar ministrin e Brendshëm të zhvillojë bisedime me përfaqësues të protestuesve për të gjetur zgjidhje konkrete. Ai pranoi gjithashtu dorëheqjen e guvernatorit të Bankës Qendrore dhe emëroi një drejtues të ri, në një përpjekje për të stabilizuar situatën ekonomike.
Protestave u janë bashkuar edhe studentë universitarë, të cilët kanë brohoritur slogane kundër qeverisë dhe udhëheqjes supreme të vendit. Në disa raste janë dëgjuar edhe thirrje në mbështetje të Reza Pahlavit, djalit të ish-shahut të Iranit, i cili jeton në mërgim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)