Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun amerikan, Donald Trump, ku në fokus të diskutimeve ishte armëpushimi i shpallur së fundmi me Iranin dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Sipas një njoftimi të bërë nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë, dy liderët diskutuan situatën aktuale në rajon, duke u ndalur veçanërisht tek armëpushimi i shpallur të martën në mbrëmje.
Erdogan shprehu kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se periudha dyjavore pas një faze të vështirë 40-ditore lufte përbën një mundësi të rëndësishme për të ecur drejt një marrëveshjeje paqeje të përhershme. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e shfrytëzimit maksimal të kësaj kohe dhe kërkoi që të ndalet çdo veprimi që mund të cenojë procesin.
Presidenti turk theksoi gjithashtu se Turqia do të vijojë të rrisë mbështetjen për përpjekjet diplomatike në bashkëpunim me vendet mike dhe vëllazërore, veçanërisht me Pakistanin, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje.
Nga ana tjetër, Trump njoftoi të martën një armëpushim dyjavor me Iranin, duke deklaruar se Teherani kishte paraqitur një propozim me 10 pika të cilin e cilësoi si të zbatueshëm për negociata.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit bëri të ditur se propozimi i dërguar SHBA-së përmes ndërmjetësimit të Pakistanit përfshin angazhimin e Uashingtonit për mosagresion, ruajtjen e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen e të gjitha sanksioneve.
Propozimi parashikon gjithashtu kompensim financiar për Iranin, tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga rajoni dhe përfundimin e konflikteve në të gjitha frontet, përfshirë edhe ato kundër Hezbollah në Liban.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)