Alarmi i studiuesve: Maja e Malit të Bardhë ka një lartësi të re

Sipas matjeve më të fundit shkencore, pika më e lartë e Europës ka zbritur në 4.807,3 metra, ndërsa pritet të pësojë ulje të mëtejshme për shkak të shkrirjes së madhe të akullit

21.12.2025. 12:47

Alarmi i studiuesve: Maja e Malit të Bardhë ka një lartësi të re

Maja e Malit të Bardhë nuk është më 4.810 metra, siç është mësuar për dekada në librat e gjeografisë. Sipas matjeve më të fundit shkencore, pika më e lartë e Europës ka zbritur në 4.807,3 metra, ndërsa pritet të pësojë ulje të mëtejshme për shkak të shkrirjes së shtresës së madhe të akullit që mbështetet mbi shkëmbin e malit.

Alarmi është dhënë nga studiuesit e Fondacionit “Montagna Sicura” në Aosta, bazuar në të dhënat e mbledhura gjatë një misioni shkencor italo-francez, të zhvilluar në kuadër të Vitit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Akullnajave. Falë përdorimit të kombinuar të dronëve, teknikave të telerilevimit dhe gjeoradarit, shkencëtarët kanë arritur të përcaktojnë me saktësi të ashtuquajturin “gjendje zero” të majës së Malit të Bardhë.

Matjet tregojnë se shtresa e akullit nën sipërfaqe ka një trashësi prej 20 deri në 25 metrash, ndërsa maja shkëmbore poshtë akullit ndodhet në një lartësi rreth 4.786 metrash. “Rilevimi topografik nuk kishte si qëllim vetëm përcaktimin e lartësisë së majës, por rindërtimin e të gjithë zonës përreth saj, me synimin që në të ardhmen të monitorohen dhe maten ndryshimet dhe evolucioni i saj”, shpjegoi Fabrizio Troilo, koordinator i sektorit të kërkimit.

Sipas studiuesve, ekziston një seri historike matjesh të majës së Malit të Bardhë, e cila tregon luhatje të parregullta ndër vite. Megjithatë, vitet e fundit duket se ka nisur një trend i qartë i uljes graduale të lartësisë. Procesi pritet të konfirmohet dhe monitorohet me matje të reja në të ardhmen.

Ekspertët theksojnë se fakti që ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në këto lartësi ekstreme. Deri më tani mendohej se aty efekti ishte minimal, por kjo është një dëshmi e përmasave reale të ngrohjes globale dhe ngre shqetësime serioze për të ardhmen e akullnajave alpine dhe klimës në tërësi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)