Instituti për Mjekësi dhe Fiziologji Hapësinore, Medes, në Tuluz të Francës ka hapur thirrjen për 10 burra të shëndetshëm që dëshirojnë të marrin pjesë në një studim shkencor, i cili simulon gjendjen e mungesës së gravitetit në hapësirë. Vullnetarët do të paguhen me 5.000 euro për një periudhë prej 10 ditësh, gjatë së cilës do të qëndrojnë të shtrirë në shtrat dhe do të konsumojnë vetëm 250 kalori në ditë.
Eksperimenti është planifikuar të zhvillohet në muajin qershor dhe ka për qëllim të studiojë ndikimin e gravitetit zero në metabolizmin dhe ushqyerjen e njeriut, faktorë kyç për misionet e ardhshme afatgjata në hapësirë. Sipas drejtueses së projektit, Amandin Fabr, rezultatet do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shëndetit të astronautëve.
Gjatë studimit, pjesëmarrësit do të qëndrojnë në një pozicion lehtësisht të anuar, pothuajse të palëvizshëm, për të imituar efektet e mungesës së peshës. Instituti ka marrë tashmë shumë aplikime, përfshirë edhe nga ish-pjesëmarrës. Njëri prej tyre, Ervani, mori pjesë në vitin 2023 në një eksperiment të ngjashëm, ku qëndroi 60 ditë në shtrat dhe u pagua me 18.000 euro.
“Fillimisht trupi përshtatet me vështirësi, por më pas mësohesh shpejt”, tregoi ai. Studimi është pjesë e kërkimeve më të gjera mbi sfidat fiziologjike të jetës në hapësirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)