Një kompani historike prodhuese qelqi në Breshia të Itali ka shkaktuar reagime të forta pasi ka njoftuar punonjësit për pushimin nga puna përmes një mesazhi në aplikacionin WhatsApp.
Sipas sindikatave, disa punonjës zbuluan se kompania ishte mbyllur papritur vetëm përmes një mesazhi në telefon, një ditë pasi kishin përfunduar normalisht ditën e punës. Në mesazhin e dërguar u përfshi edhe letra e pushimit nga puna.
Organizatat sindikale kanë denoncuar mënyrën e komunikimit, duke theksuar se nuk pati asnjë paralajmërim apo konsultim paraprak me punonjësit dhe përfaqësuesit e tyre.
Sipas tyre, deri një ditë para njoftimit asgjë nuk linte të kuptohej se kompania do të mbyllej. Përkundrazi, drejtuesit kishin folur për vazhdimësi të aktivitetit dhe për një kalim të mundshëm të biznesit te brezi i ri i familjes pronare. Gjithashtu, gjatë vitit 2025 thuhet se ishin bërë edhe investime në kompani.
Sindikatat shtojnë se në muajin shkurt nuk ishin aktivizuar masa mbështetëse për punonjësit dhe nuk kishte nisur asnjë procedurë dialogu sindikal për një krizë të mundshme. Fillimisht pronarët kishin njoftuar një ditë pushimi për shkak të uljes së prodhimit, ndërsa më pas kishin dërguar mesazhin me letrat e largimit nga puna.
Sipas përfaqësuesit të sindikatës Uiltec në Breshia, Andrea Cassago, disa nga punonjësit kishin punuar në këtë kompani për më shumë se 25 vjet.
“Po flasim për njerëz që kanë dhënë mbi 25 vite të jetës së aty dhe sot njoftohen për pushimin nga puna me një mesazh në telefon, pa i parë askush në sy”, u shpreh ai.
Sindikatat kanë kërkuar tashmë sqarime për arsyet e mbylljes së papritur të kompanisë dhe kanë paralajmëruar se do të shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore dhe sindikale për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të prekur nga kjo situatë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)