Një histori e rrallë humanizmi dhe sakrifice vjen nga Britania e Madhe, ku një pensionist 84-vjeçar ka shpëtuar jetën e dhëndrit të tij duke i dhuruar një veshkë, duke u bërë njëkohësisht donatori më i moshuar në këtë shtet.
Graham Sisson, nga Derbyshire, vendosi t’i dhurojë organin Ian Tonks, 49 vjeç, i cili prej vitesh vuante nga probleme serioze me veshkat. Gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm pas vitit 2018, duke e detyruar t’i nënshtrohej dializës, një proces i lodhshëm që kërkon orë të tëra trajtimi disa herë në javë.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur një donator, për vite me radhë nuk u arrit asnjë zgjidhje. Gjendja e Tonks u rëndua deri në atë pikë sa mjekët i dhanë vetëm pak muaj jetë. Në këtë moment kritik, vjehrri i tij vendosi të ndërhynte.
Operacioni u realizua në Manchester Royal Infirmary, pas një procesi të gjatë testimesh që zgjati rreth 11 muaj për të garantuar sigurinë e të dyve. Transplanti rezultoi i suksesshëm dhe të dy pacientët janë rikuperuar plotësisht.
“E pashë sa i sëmurë ishte dhe doja ta ndihmoja të rifitonte jetën. Për mua ishte diçka e natyrshme”, u shpreh Sisson, i cili sot është vlerësuar nga shërbimi shëndetësor britanik si hero.
Nga ana e tij, Ian Tonks thekson se pa këtë akt të jashtëzakonshëm, ai nuk do të ishte më gjallë. “Pa Graham, do të kisha vdekur brenda pak muajsh. Ajo që bëri është e pabesueshme”, tha ai.
Pas operacionit, jeta e Tonks ka ndryshuar rrënjësisht. Ai tashmë jeton normalisht, pa dializë, dhe i është rikthyer aktiviteteve të përditshme, duke e cilësuar vjehrrin e tij si një hero të vërtetë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)