Një operacion i policisë në veri të vendit ka goditur një rast të trafikimit të emigrantëve, duke çuar në arrestimin e një të riu që dyshohet se organizonte kalime të paligjshme të kufirit kundrejt pagesës.
Policia bëri të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Tranziti”, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 27 vjeç, banues në Karbunarë. Ai u kap në Koplik duke transportuar me automjet 6 emigrantë nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani, të cilët synonin të kalonin kufirin drejt Malit të Zi.
Sipas hetimeve, i riu ndihmonte shtetas nga vende të treta për të kaluar ilegalisht kufijtë tokësorë, fillimisht drejt Greqisë dhe më pas drejt Malit të Zi, kundrejt pagesës prej 650 euro për person.
Në vijim të veprimeve, policia procedoi penalisht 6 emigrantët, mes tyre edhe një i mitur 16 vjeç, për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithashtu, u sekuestruan automjeti dhe celulari i të arrestuarit, të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë aktivitet kriminal.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)