Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Modena të Italisë, ku një kasiere me mbi 20 vite eksperiencë pune është shkarkuar pasi nuk regjistroi në kasë disa produkte me vlerë të ulët.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një kulluese makaronash dhe një tigan, me vlerë totale pak më shumë se 30 euro. Megjithatë, vendimi për largimin nga puna është konsideruar i ligjshëm edhe nga gjykata e punës, e cila e cilësoi veprimin si të qëllimshëm dhe të përsëritur.
Ngjarja ndodhi në një supermarket brenda një qendre tregtare, ku punonjësja, në vend që të kalonte produktet në skaner, i afronte pranë trupit duke shmangur regjistrimin e tyre dhe më pas i vendoste mënjanë sikur të ishin skanuar. Ky veprim është përsëritur në dy raste të ndryshme.
Sjellja e saj u zbulua nga kamerat e sigurisë, të cilat e filmuan gjatë kryerjes së veprimeve. Sipas punëdhënësve, fakti që ajo vazhdoi të skanonte produkte të tjera pa u shqetësuar për mungesën e sinjalit akustik apo të regjistrimit në ekran, tregon se veprimi ishte i vetëdijshëm.
Pas një procedure disiplinore të brendshme, gruaja u pushua nga puna në vitin 2024. Ajo vendosi ta kundërshtojë vendimin në gjykatë, por kërkesa e saj u rrëzua.
Gjykatësi argumentoi se nga pamjet filmike rezulton qartë se nuk bëhej fjalë për një gabim të rastësishëm. Ai theksoi se veprimi për të shmangur skanerin ishte i pajustifikuar dhe përbënte shkelje të rëndë të besimit mes punonjësit dhe punëdhënësit.
Përveç humbjes së vendit të punës, gruaja u detyrua të paguajë edhe 1,500 euro shpenzime gjyqësore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)