Armëpushim i brishtë dhe shumë pikëpyetje/ Çfarë pritet të ndodhë pas marrëveshjes SHBA-Iran

Një armëpushim dyjavor mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit ka ulur përkohësisht tensionet në Lindjen e Mesme, por ka hapur një seri pyetjesh të mëdha për të ardhmen e konfliktit, drejtimin e Iranit dhe stabilitetin global.

Burimi: Daily Mail

08.04.2026. 15:15

Armëpushim i brishtë dhe shumë pikëpyetje/ Çfarë pritet të ndodhë pas marrëveshjes SHBA-Iran

Një armëpushim dyjavor mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit ka ulur përkohësisht tensionet në Lindjen e Mesme, por ka hapur një seri pyetjesh të mëdha për të ardhmen e konfliktit, drejtimin e Iranit dhe stabilitetin global. Marrëveshja, e konfirmuar nga presidenti Donald Trump, parashikon pezullimin e sulmeve për dy javë, me kushtin kryesor rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë globale të naftës.

Trump e cilësoi këtë si një “ditë të madhe për paqen botërore”, duke pretenduar se SHBA ka arritur objektivat ushtarake dhe se tani priten zhvillime pozitive. Marrëveshja erdhi pas një periudhe tensioni ekstrem, ku presidenti amerikan paralajmëroi edhe shkatërrim të plotë nëse nuk arrihej një dakordësi.

Kush po e drejton Iranin?

Një nga pikëpyetjet më të mëdha lidhet me drejtimin e Iranit. Sipas zyrtarëve iranianë, marrëveshja është miratuar nga Mojtaba Khamenei, i cili konsiderohet lideri i ri suprem pas vdekjes së Ali Khamenei. Megjithatë, raportet e inteligjencës sugjerojnë se ai mund të jetë në gjendje kome, duke krijuar pasiguri për stabilitetin e brendshëm të regjimit.

Në planin diplomatik, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi është bërë figura kryesore publike e negociatave, duke deklaruar se Irani do të ndalë operacionet mbrojtëse nëse sulmet ndalen. Pavarësisht dëmeve të mëdha në infrastrukturë dhe udhëheqje, regjimi iranian mbetet funksional.

Administrata Trump ka sinjale të ndryshme për ndryshimin e regjimit. Fillimisht u përfol për mbështetje të një kryengritjeje apo një ofensivë të drejtuar nga kurdët, por më vonë kjo ide u zbut. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se nuk bëhet fjalë për një luftë për ndryshim regjimi, edhe pse vetë Trump ka sugjeruar se një lider i ri duhet të vijë nga brenda sistemit iranian.

Ngushtica e Hormuzit, nyja e krizës

Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit mbetet pika më e nxehtë e negociatave. Kjo rrugë detare përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë është kthyer në mjet presioni nga Irani. Teherani ka sulmuar anije dhe ka kufizuar kalimin, duke tronditur tregjet globale dhe duke rritur çmimet e energjisë.

Sipas marrëveshjes aktuale, Irani lejon akses të kufizuar për dy javë, por nën koordinimin e forcave të tij ushtarake. Propozimi iranian përfshin edhe mundësinë e vendosjes së tarifave deri në 2 milionë dollarë për anije, për të financuar rindërtimin e dëmeve nga sulmet.

Nga ana tjetër, SHBA nuk pritet të pranojë kontroll të plotë iranian mbi ngushticën. Trump ka sugjeruar madje që edhe SHBA mund të vendosë tarifa, duke e cilësuar veten “fituese” të konfliktit. Ekspertët paralajmërojnë se kjo çështje mbetet e pazgjidhur dhe mund të rikthejë tensionet.

Negociatat vendimtare në Islamabad

Faza tjetër e konfliktit do të përcaktohet nga negociatat që pritet të zhvillohen në Islamabad, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif. Delegacionet pritet të diskutojnë çështje kyçe si programi bërthamor, raketat balistike dhe kontrolli i Hormuzit.

SHBA kërkon që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit dhe të kufizojë kapacitetet ushtarake, ndërsa Teherani kërkon heqjen e sanksioneve dhe njohjen e rolit të tij në rajon.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka konfirmuar se po diskutohen edhe takime të drejtpërdrejta, por asgjë nuk është finalizuar.

Roli i Izraelit dhe tensionet rajonale

Izraeli ka pranuar armëpushimin, por vazhdon operacionet kundër Hezbollahut në Liban. Kryeministri Benjamin Netanyahu mbështet kërkesat amerikane, por është përballur me kritika të forta brenda vendit.

Figura të opozitës si Yair Lapid dhe Avigdor Liberman e kanë cilësuar marrëveshjen si dështim strategjik, duke paralajmëruar se Irani mund të rigrupohet dhe të rikthejë kërcënimin.

Një paqe e brishtë

Ndërsa armëpushimi ka sjellë një frymëmarrje të përkohshme, ekspertët theksojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. E ardhmja varet nga diplomacia, por dallimet mes palëve mbeten të thella.

Dy javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse kjo marrëveshje do të shndërrohet në paqe afatgjatë, apo thjesht në një pauzë përpara një përshkallëzimi të ri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)