Dy anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit, të parat prej shpalljes së armëpushimit dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Lajmi u bë i ditur nga faqja për gjurmimin e trafikut detar, “MarineTraffic”.
Anija e mallrave NJ Earth, në pronësi të një armatori grek ka kaluar ngushticën në orën 10:44 të mëngjesit (me orën shqiptare), ndërsa anija Daytona Beach me flamur të Liberisë, kishte kaluar më herët në orën 08:59, pak pasi ishte nisur nga porti i Bandar Abbas.
Pavarësisht armëpushimit, Marina iraniane ka paralajmëruar anijet e ankoruara pranë Hormuzit se mbetet e domosdoshme të merret autorizimi i Teheranit për të kaluar ngushticën. “Është e nevojshme të merret leje nga Marina e Pasdaranëve për të kaluar ngushticën. Çdo anije që tenton kalimin pa autorizim do të shkatërrohet”, thuhet në një komunikim radio të transmetuar për anijet.
Lajmi është shpërndarë për “Wall Street Journal” nga një prej anëtarëve të ekuipazheve. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se ka pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin me kusht që Hormuzi të rihapet “plotësisht, menjëherë dhe në mënyrë të sigurt”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)