Në botë bie me 18%, në Shqipëri çmimi i naftës ulet me vetëm 4 lekë

Vendimi i Bordit të Transparencës, litri i naftës do të kushtojë 220 lekë prej orës 15:30 të kësaj të mërkure. Nuk ndryshon benzina, 181 lekë për litër.

08.04.2026. 14:18

Në botë bie me 18%, në Shqipëri çmimi i naftës ulet me vetëm 4 lekë

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës, e cila nga sot pas orës 15:30 do të tregtohet me 220 lekë për litër. Vendimi u mor në mbledhjen e radhës të zhvilluar këtë të mërkurë dhe parashikon një ulje me 4 lekë krahasuar me çmimin aktual.

Kjo ulje minimale në Shqipëri, vjen në një kohë kur armëpushimi në Iran ndikoi pozitivisht në tregjet botërore, aty ku çmimi i naftës ra me 18%. Ndërkohë, çmimi i benzinës nuk do të pësojë ndryshim dhe do të vijojë të shitet me 181 lekë për litër.

Aktualisht nafta tregtohet me 224 lekë për litër, ndërsa ende është në fuqi ulja me 20 për qind e taksës së akcizës, e cila përkthehet në një lehtësim prej 8 lekësh. Sipas vendimit, pas orës 15:30 kjo masë do të humbasë efektin dhe do të rikthehet në fuqi vetëm në rast se çmimi i naftës rritet sërish mbi nivelin 220 lekë për litër.

Në vendimin zyrtar të Bordit thuhet se çmimi maksimal me pakicë për gazoilin nuk duhet të jetë më i lartë se 220 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë nuk duhet të kalojë 208 lekë për litër. Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është përcaktuar 181 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 169 lekë për litër.

Autoritetet kanë paralajmëruar të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se shkeljet do të ndëshkohen me masa të forta deri në pezullimin e aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të vijojë monitorimin e tregut me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)