Në një intervistë të shkurtër pas njoftimit të marrëveshjes, Donald Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një “fitore totale dhe të plotë” duke përmbyllur marrëveshjen për armëpushimin dyjavor me Iranin. “Një fitore totale dhe e plotë. 100%. Nuk ka asnjë dyshim”, tha presidenti amerikan për agjencinë AFP.
Trump refuzoi të thotë nëse ka ndërmend të rikthejë kërcënimet e tij fillestare për të shkatërruar centrale elektrike dhe urat në Iran në rast se marrëveshja dështon. Megjithatë, ai deklaroi se çështja e uraniumit iranian do të “zgjidhet në mënyrë të përsosur”.
Në një bisedë telefonike me “Sky News”, vetëm pak orë pasi shpalli armëpushimin, Trump shtoi se SHBA-të kanë arritur në Iran “gjithçka që donim të bënim ushtarakisht” dhe se kjo përbën “një fitore të plotë nga ky këndvështrim dhe nga çdo tjetër”. Trump tha gjithashtu se e konsideron marrëveshjen “të mirë”, por shtoi se nëse ajo nuk rezulton efektive, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të kthehen në luftë. “Do të ktheheshim menjëherë, me lehtësi ekstreme”, siguroi ai.
Edhe Irani, ashtu si SHBA-të shpalli fitore. “Urojmë të gjithë popullit iranian, përgëzime për këtë fitore dhe theksojmë se deri sa të përcaktohen detajet e kësaj fitoreje është ende e nevojshme këmbëngulja dhe kujdesi nga autoritetet, si dhe ruajtja e unitetit dhe solidaritetit të popullit iranian”, deklaroi Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare në Teheran, sipas asaj që raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Fars”.
Televizioni shtetëror iranian e cilësoi situatën si një “tërheqje poshtëruese të Trump nga retorika anti-iraniane. Trump ka pranuar kushtet e Iranit për luftën”. Më pas, mediat iraniane shtuan se presidenti amerikan ka pranuar kushtet e vendosura nga Teherani.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)