“Me patronazhistë, Rama synoi ta varrosë dosjen Balluku”, Berisha: 17 prill dita e shqiptarëve, të gjithë në shesh

Në një deklaratë para grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Edi Rama, duke e cilësuar qeverisjen e tij si të kapur nga interesat dhe propaganda.

08.04.2026. 14:25

“Me patronazhistë, Rama synoi ta varrosë dosjen Balluku”, Berisha: 17 prill dita e shqiptarëve, të gjithë në shesh

Në një deklaratë para grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Edi Rama, duke e cilësuar qeverisjen e tij si të kapur nga interesat dhe propaganda.

Berisha deklaroi se kryeministri po përdor “patronazhistë dhe sahanlëpirës” për të mbrojtur veten dhe për të “varrosur” çështje që, sipas tij, lidhen me korrupsionin, përfshirë dosjen “Balluku”. Ai përmendi edhe emra konkretë, duke akuzuar se individë të afërt me qeverinë angazhohen në sulme ndaj opozitës për të devijuar vëmendjen nga aferat.

“Ai nuk e ka idenë se çdo të thotë ekonomi, një buxhet familjar. Rama ka mobiluar në fushatën e mashtrimit, përveç patronazhistëve, edhe sahanlëpirësit e tij, me në krye Sokol Ballukun, që është anëtar kryesor i grupit të strukturuar kriminal, por jo i vetëm. Aktiv në trillime dhe mashtrime, janë dhe të tjerë, të cilët nga mëngjesi deri në darkë sulmojnë qëndrimet e opozitës, sulmojnë opozitën, vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën”.

Në vijim, kreu i PD-së u ndal edhe te çështjet ekonomike, duke krahasuar çmimin e naftës në vite të ndryshme. Sipas tij, në vitin 2013 dhe në vitin 2022 çmimi në bursë ka qenë i njëjtë, por në Shqipëri është shitur shumë më shtrenjtë, duke e cilësuar këtë si provë të dështimit të politikave fiskale. Ai përsëriti kërkesën për përgjysmimin e taksave si zgjidhje për situatën ekonomike.

“Më 7 prill të 2013 nafta në bursë ndërkombëtare ka qenë 97 dollarë, në tregun shqiptar është shitur me 140 lekë. Më 7 prill 2022, nafta në bursë ka qenë 97 dollarë, në Shqipëri është shitur me 240 lekë. Tani nxjerr dhe patronazhistët nëpër telefona, por këto janë të dhëna të pamohueshme”, tha kreu i PD.

Berisha akuzoi gjithashtu se po bëhen përpjekje për të vendosur “paqe” me kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa përmendi edhe emërime të dyshimta në administratë.

Ai deklaroi se korrupsioni ka bërë që Shqipëria të “mbetet në klasë” në proceset e vlerësimit ndërkombëtar për shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, raportet ndërkombëtare po reflektojnë një përkeqësim të situatës.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më 17 prill të dalin në protestë, pavarësisht bindjeve politike, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për reagimin qytetar. Data 17 është dita e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike”, tha Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)