Prej datës 29 mars, kompania Ryanair ka ndërprerë zyrtarisht të gjitha fluturimet drejt Azoreve, duke mbyllur plotësisht aktivitetin e saj në këtë arkipelag portugez. Vendimi prek gjashtë linja kryesore dhe rrezikon të ndikojë rreth 400 mijë pasagjerë në vit, të cilët tani duhet të gjejnë alternativa për të arritur në një nga destinacionet natyrore më të pëlqyera të Europës.
Sipas kompanisë low cost, ndërprerja e fluturimeve lidhet me rritjen e kostove operacionale. Ryanair akuzon ANA Aeroportos de Portugal për rritjen e tarifave aeroportuale pas pandemisë. Në këtë përfshihen edhe kosto shtesë si kontrolli i trafikut ajror dhe taksa të reja për pasagjerët. Kjo kombinim e bën ekonominë e linjave drejt Azoreve të papërshtatshme për kompaninë.
ANA nga ana e saj i mohon kritikat dhe thotë se tarifat e saj mbeten ndër më të ulëtat në Europë. Megjithatë, Ryanair ka vendosur të reduktojë ndjeshëm praninë në arkipelag, duke i shpërndarë aeroplanët drejt aeroporteve të tjera europiane më konkurruese, si Malta, Marrakech dhe Budapest. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të kompanisë, e fokusuar në tregje me kosto më të ulëta.
Vendimi ka rifilluar edhe debatet mbi politikat mjedisore në Europë, veçanërisht mbi sistemin EU ETS që vendos kosto mbi emetimet e Co2. Ryanair argumenton se këto masa penalizojnë veçanërisht linjat e shkurtra dhe destinacionet periferike si Azoret, duke e vështirësuar ekonominë e fluturimeve low cost. Për udhëtarët, pasojat më të menjëhershme do të jenë reduktimi i opsioneve të fluturimeve dhe mundësia e rritjes së çmimeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)