Kërkuan gjykim të shkurtuar, GJKKO pranon kërkesën e Evis Berberit dhe 20 të pandehurve

Kërkesa u paraqit gjatë seancës së parë në themel dhe u miratua nga trupi gjykues, pavarësisht kundërshtimit të SPAK për disa prej të akuzuarve.

08.04.2026. 16:11

Kërkuan gjykim të shkurtuar, GJKKO pranon kërkesën e Evis Berberit dhe 20 të pandehurve

Gjykata e Posaçme ka vendosur të pranojë kërkesën e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, dhe 20 të pandehurve të tjerë për t’u gjykuar me procedurë të shkurtuar në lidhje me një nga procedimet penale të dosjes së Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Kërkesa u paraqit gjatë seancës së parë në themel dhe u miratua nga trupi gjykues, pavarësisht kundërshtimit të SPAK për disa prej të akuzuarve, përfshirë edhe Berberin.

Ndryshe nga të tjerët, biznesmeni Valter Begaj kërkoi ndarjen e çështjes dhe gjykim të zakonshëm, kërkesë që u pranua nga gjykata.

Në total, 21 të pandehur akuzohen për një sërë veprash penale, mes tyre shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh. Sipas hetimeve të SPAK, Berberi dyshohet të jetë përfshirë në afera korruptive në të paktën 8 tendera me vlerë rreth 15 milionë euro.

Prokuroria pretendon se gjatë kohës që ushtronte funksione publike, ai ishte pronar faktik i kompanisë “DAAM” shpk, e cila ka përfituar tendera nga institucionet që ai vetë drejtonte.

Hetimet e nisura pas arrestimit të tij në vitin 2024 dhe analizës së të dhënave nga celulari i sekuestruar kanë çuar në zgjerimin e çështjes edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë.

Mes tyre janë edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, të cilët po përballen me akuza për shkelje të barazisë në tendera dhe janë aktualisht në proces gjyqësor.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)