Sot qytetarët me të drejtë vote në Kosovë votojnë për të dytën herë brenda vitit për të zgjedhur parlamentin e ri të vendit.
Kutitë e votimit janë hapur prej orës 07:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura deri në 19:00.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues, ndërkohë që edhe nga jashtë kanë aplikuar 76 mijë persona për të votuar. Në të gjithë Kosovë janë 948 qendra votimi dhe 2614 vendvotime.
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor dhe një delegacion i Parlamentit Evropian.
Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar qindra forca policie dhe një grup prej 100 prokurorësh do të jenë në gatishmëri për çdo denoncim.
Këto janë zgjedhjet e dyta brenda vitit në Kosovë, pasi nga rezultatet e dala prej zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku udhëhiqte lëvizja Vetëvendosje, nuk u bë dot e mundur krijimi i institucioneve të reja.
13:15 Voton dhe Vjosa Osmani, bën thirrje për zgjedhje të qeta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e saj të votës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Osmani votoi në Prishtinë, teksa pasi hodhi fletën në kutinë e votimit uroi që zgjedhjet të jenë të qeta e demokratike teksa përsëriti thirrjen që qytetarët të dalin masivisht.
“Pret që rezultatet të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Formimi i këtyre institucioneve, është i domosdoshëm për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Kosovën” , tha presidentja Osmani.
12:11 Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Probleme me furnizimin me energji në disa qendra votimi
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe një ditë më parë, janë shfaqur problematikat e para në disa qendra votimi në Kosovë, në lidhje me furnizimin me energji elektrike.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi deklaroi se 6 qendra votimi në komunat Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan kanë pasur problematika teknike dhe kjo për shkak të mungesës së energjisë.
Sipas Radoniq janë njoftuar institucionet përgjegjëse për këtë problematikë dhe falë ndërhyrjes së shpejtë, furnizimi me energji elektrike është rikthyer dhe procesi i votimit ka vazhduar pa pengesa.
Radoniq theksoi se asnjë vendvotim nuk është mbyllur si pasojë e këtyre problemeve dhe se integriteti i procesit zgjedhor nuk është cenuar.
11:38 Zgjedhjet në Kosovë, pjesëmarrja deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë me dije të dhënat rreth pjesëmarrjes në votime deri në orën 11:00. Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja në votime deri në këto moment është rreth 8%.
Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në Ranillug, teksa më e ulët në Leposaviq. Në Prishtinë, deri më tani, votuan pak mbi 10% e qytetarëve.
10:59 Lumir Abdixhiku voton në Prishtinë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, votoi në Prishtinë.
Abdixhiku iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
10:26-Bedri Hamza voton në Mitrovicën e Jugut: Ftoj qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza së bashku me familjen e tij, ka votuar për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Mitrovicën e Jugut.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza iu bëri edhe njëherë qytetarëve që të votojnë për një qeveri që i bashkon dhe garanton stabilitet.
“Sot, ne e përmbushëm obligimin qytetar. Votova si Kandidat për Kryeministër, si prind dhe si qytetar, me besim në të ardhmen e vendit tonë.
Vota është përgjegjësi dhe themel i demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë për një qeveri që bashkon, garanton stabilitet, zhvillon ekonominë dhe punon për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Hamza.
10:13 Zgjedhjet në Kosovë, voton Albin Kurti: Duhet rezultat i qartë në këto zgjedhje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në fakultetin ekonomik në Prishtinë.
Teksa ftoi qytetarët që të dalin masivisht dhe të ushtrojnë të drejtën e votës, Kurti u shpreh se duhet një rezultat i qartë në këto zgjedhje për formimin sa më shpejt të institucioneve dhe qeverisë së re.
“Porsa votova në fakultetin ekonomik për legjislaturën e 10. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme dhe ftoj qytetarë të ushtrojnë të drejtën për përbërjen e kuvendit të ardhshëm. Uroj që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe të formohet qeveria e re. Falenderoj qytetarët për angazhim dhe shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive. Gëzuar të gjithëve. Unë kam ofruar koalicion në prill dhe maj dhe ne jemi sot sepse u refuzua koalicioni. Do të duhet rezultat i qartë në këto zgjedhje”, u shpreh Albin Kurti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)