“Të vijojmë punët e mira”, Osmani kërkon një mandat të dytë si presidente

Vjosa Osmani kërkon një mandat të dytë si presidente e Kosovës. Në një intervistë për REL, Osmani u shpreh se Kosova do të duhet të vijojë të ketë vazhdimësi me punët e mira.

Burimi: REL

29.12.2025. 20:05

“Të vijojmë punët e mira”, Osmani kërkon një mandat të dytë si presidente

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për Radio Evropa e Lirë, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku mes të tjerash foli dhe për ambicien e saj për një mandat të dytë në krye të shtetit.

Osmani deklaroi se Kosova duhet të vijojë me punët e mira dhe shtoi se çështja e rizgjedhjes së saj është në duart e deputetëve të rinj.

“Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve.

Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese.

Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen”, tha Vjosa Osmani, mandati i së cilës në krye të shtetit të Kosovës përfundon në muajin prill.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)