Petkoviq pret Sorensen, përparimi i dialogut kushtëzohet me Asociacionin

Takimi mes Peter Sorensenit dhe Petar Petkoviqit në Beograd u fokusua në përpjekjet për të zhbllokuar dialogun Kosovë–Serbi, ku pala serbe kushtëzoi përparimin me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Burimi: REL

16.01.2026. 22:07

Petkoviq pret Sorensen, përparimi i dialogut kushtëzohet me Asociacionin

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa palët mbajnë qëndrime të kundërta lidhur me hapat e radhës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka bërë të ditur të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, se çdo përparim i dukshëm varet nga gatishmëria e Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Petkoviq dhe Sorensen u takuan të premten në Beograd, dy ditë pas vizitës së emisarit evropian në Prishtinë. Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe njoftoi se Petkoviq i ka përcjellë Sorensenit “një mesazh të qartë” për nevojën e hapave konkretë drejt krijimit të Asociacionit dhe diskutimit të draft-statutit të tij.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me Sorensenin në Prishtinë, shprehu gatishmërinë për normalizim, por kërkoi që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023. Ai po ashtu kërkoi tërheqjen e një letre zyrtare të Serbisë lidhur me marrëveshjet e arritura.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë që nga viti 2023, ndërsa Marrëveshja e Ohrit vazhdon të mbetet e pazbatuar, duke mbajtur procesin e dialogut në ngërç.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)