Kushtet e vështira atmosferike që kanë përfshirë qarkun e Elbasanit kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona, kryesisht në territorin malor të rajonit.
Reshjet e dendura, temperaturat e ulëta dhe bllokimi i rrugëve kanë vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve teknike, duke bërë që disa fshatra të mbeten ende pa energji. Situata paraqitet më problematike në disa zona të lidhura me Nënstacionin e Librazhdit.
Pa furnizim me energji janë aktualisht zona të Lunikut, përfshirë Qytezën, Qarrishtin, Borovën, Zabzunin dhe Stërblevën. Gjithashtu bëhet fjalë edhe për disa fshatra të njësisë Polis, mes tyre Sopoti dhe Vilani. Probleme janë evidentuar edhe në zonat Qershizë Banjë, Verrisht Banjë dhe Mali i Xhyrës.
OSSHE njoftoi se ekipet e mirëmbajtjes ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për rikthimin gradual të energjisë elektrike. Në disa zona furnizimi është normalizuar përkohësisht, ndërsa në të tjera ndërhyrjet po vonohen për shkak të vështirësive në qarkullimin rrugor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)