“Shqipëria më afër se kurrë familjes europiane”, Rama dhe Begaj mesazhe për Ditën e Europës

9 Maji konsiderohet si dita simbolike e krijimit të Bashkimit Europian dhe lidhet me deklaratën historike të ish-ministrit të Jashtëm francez Robert Schuman, që hodhi bazat e projektit pas Luftës së Dytë Botërore.

09.05.2026. 09:42

“Shqipëria më afër se kurrë familjes europiane”, Rama dhe Begaj mesazhe për Ditën e Europës

Në Ditën e Europës, krerët më të lartë të shtetit shqiptar kanë përcjellë mesazhe për rëndësinë e integrimit europian dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimi Europian. Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet në momentin më pranë anëtarësimit në familjen europiane.

“Mirëmëngjes dhe në këtë Ditë të Europës, ku Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruante Rama në rrjetet sociale. Edhe Presidenti Bajram Begaj publikoi një mesazh urimi, duke vlerësuar themeluesit e projektit europian dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.

“Sot ne festojmë Ditën e Europës dhe nderojmë të gjithë ata që ndërtuan dhe bënë realitet projektin e Bashkimit Europian, i cili ka në zemër paqen, sigurinë, demokracinë, begatinë, solidaritetin dhe lirinë. Shqipëria është sot më afër se kurrë për të qenë pjesë e familjes evropiane, e gatshme për t’i shtuar projektit evropian energjinë dhe vlerat e saj!”, shkruante Begaj.

9 Maji konsiderohet si dita simbolike e krijimit të Bashkimit Europian dhe lidhet me deklaratën historike të ish-ministrit të Jashtëm francez Robert Schuman, që hodhi bazat e projektit pas Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht, komuniteti europian u themelua nga gjashtë shtete: Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Franca.

Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2022 dhe vijon procesin e reformave. Fokusi mbetet te drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)