Nafta 215 lekë/litri, Rama: Do ulim akcizën 20% sa herë çmimi kalon 220 lekë

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Asamblesë së PS, që po zhvillohet në Durrës, zbuloi masën e parë të marrë nga qeveria për të zbutur koston e çmimit të rritur të naftës në xhepat e qytetarëve. Sipas Ramës, akciza do të ulet me 20% sa herë që nafta mund të prekë çmimin 220 lekë për litër.

21.03.2026. 12:37

Nafta 215 lekë/litri, Rama: Do ulim akcizën 20% sa herë çmimi kalon 220 lekë

Kriza e tregut të hidrokarbureve dhe rritja e çmimit të naftës në vendin tonë si pasojë e efekteve të zgjatura të luftës në Lindjen e Mesme, ka qenë tema kryesore që kryeministri Edi Rama ka trajtuar në nisje të fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste që po zhvillohet në Durrës, duke nisur nga ora 10:00 e kësaj të shtune.

Rama deklaroi se qeveria ka vendosur masa konkrete për të përballuar rritjen e çmimit të naftës, me një shembull që i ngjan lëvizjes së qeverisë së Giorgia Melonit në Itali për të zbutur ndikimin e luftës tek xhepat e qytetarëve

“Për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve, do të ketë menjëherë ulje me 20% të akcizës së naftës. Deri tani nuk shikojmë impakt në të tjera çmime, por fatmirësisht jemi në kushte ku kemi një borxh dhe deficit goxha të ulët, që na mundëson që në momente të tilla të kemi hapësirë për të mos lënë vetëm askënd”, tha Rama.

Ai ritheksoi se Bordi i Transparencës është mbledhur për të monitoruar situatën dhe për të marrë vendime të shpejta.

“Siç kemi mësuar nga ajo që ndodhin larg nesh, jetojmë në një botë të lidhur në zinxhirin e vet ekonomik, saqë çdo krizë larg nesh projektohet edhe tek ne. E kam fjalën për impaktin e drejtpërdrejt të situatës ndërkombëtare në çmimet e naftës. Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje, për këtë ne kemi vendosur në lëvizje bordin e transparencës, çka e kemi përdorur siç e mbani mend edhe më parë”, shtoi ai.

Kreu i ekzekutivit bëri të ditur gjithashtu se qeveria do të mbështesë në radhë të parë pensionistët, pasi ata janë më të prekur nga rritja e çmimeve.

“Plani i ri do të na japë një pasqyrë të rritjes së të ardhurave për pensionistët, pagat, investimet dhe një balancim të çmimit. Asnjë vend nuk mund të bëjë të padukshme krizën në pompën e naftës”, tha Rama.

Një tjetër nismë e rëndësishme është ngritja e një entiteti shtetëror që do të ndërhyjë në tregun e naftës.

Rama sqaroi se ky entitet “do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore te monitorimi i tregut dhe sigurimi i furnizimit, për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet”.

Ai gjithashtu njoftoi se në muajt e ardhshëm do të futen dy komponentë të rinj në monitorimin e tregut të naftës, duke synuar rezultate të shpejta edhe në luftën kundër evazionit dhe kontrabandës.

“Jemi në fund të një procesi që do të materializohet në një apo dy muajt në vijim për të futur komponentë të rinj në tregun e naftës, që do sjellin rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit dhe kontrabandës së naftës”, theksoi kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)